Lindi më 1932, në Tiranë. Me origjinë nga Koprëncka, Skrapar. Sipas regjimit komunist familja e tij ishte e pasur; zotëronte një mulli me ujë në Bulgarec, Korçë. Shkollën fillore e mbaroi në Korçë (1947); shtatëvjeçaren e kreu në Tiranë (1947-1951), ku banonte me familjen; gjimnazin e kreu natën, në Shkodër (1953-57), ku jetonte bashkë me motrën, Lirinë. Në Shkodër punonte si hidraulik në ndërmarrjen e fermentimit të duhanit dhe pastaj teknik ndërtimi në ndërmarrjen e ndërtimit. Më 1957 u arrestua për herë të parë, u dënua me 7 vjet e 6 muaj burg «për shfaqje mendimi për arratisje jashtë shtetit». Dënimin e vuajti në burgun e Tiranës. U lirua në fund të vitit 1963. Deri më 25 mars 1967 punoi si hidraulik në kooperativën e shërbim-ndërtimit, Shkodër. Atë vit u arrestua përsëri dhe u dënua me 20 vjet burg, «për përvetësim të pronës socialiste». Periudhën 1968-1973, e kaloi në repartin 313, Tiranë, ku punoi për përkthimin nga gjuha italiane të një vepre të kërkuar nga organet e Punëve të Brendshme. Italishten e kishte mësuar në burg. Më 1973 u transferua në burgun e Ballshit (reparti 309) dhe më 1975 në Sarandë (reparti 305). Më 1976, ndërsa kryente dënimin, u arrestua përsëri dhe u dënua me 10 vjet burg «për agjitacion e propagandë». Më 1977, u dërgua të vuante dënimin në burgun e Spaçit (reparti 303). Më 2 nëntor 1978, u arrestua sërish dhe u kërkua të dënohej me 10 vjet burg për agjitacion dhe propagandë. Sipas rrëfimit të tij, ky dënim iu dha për një letër që ai i kishte dërguar «udhëheqjes së Partisë”, ku shprehte mendimin se nuk duhej të prisheshin marrëdhëniet me kinezët, sepse nuk ishte në interes të Shqipërisë, ngaqë Kina ishte fuqi e madhe dhe do ta mbronte nga armiqtë që e rrethonin. Përfundimisht, më 5 shkurt 1979 u dënua me 25 vjet burg (duke bashkuar dënimet e mëparshme). Më 23 shkurt 1979 u arrestua përsëri me akuzën: «Për krijimin e një organizate kundërrevolucionare të quajtur Nacionaliste, për të kryer krime kundra shtetit». Sipas akuzës, Xh. K. kishte menduar të rrëzonte regjimin komunist, duke shfrytëzuar prishjen e Shqipërisë zyrtare me Kinën, ngaqë «gjendja ekonomike në vendin tonë do
të keqësohej, populli do të çoroditej dhe për rrjedhim do të ngrihej kundër sistemit». Këtë revoltë, sipas akuzës, do ta udhëhiqte organizata Nacionaliste dhe ajo do të merrte pushtetin. Gjatë rrugës ata do të mbështetshin te ndihma e amerikanëve që, sipas akuzës, Xh. K. i konisderonte «konsekuent kundër komunizmit». Ky ishte varianti i parë. Por, në rast dështimi, atëherë «organizata» do të përdorte, sipas akuzës, variantin e dytë: organizimin e një incidenti në burg, thirrjen e një anëtari të byrosë politike të vinte për bisedime, dhe duke pasur bindjen që qeveria do të dërgonte kundër tyre forca ushtarake, të burgosurit do të ndesheshin trup më trup me to. Revolta do të zgjatej sa të merrte vesh populli, i cili do të ngrihej kundër qeverisë, «dhe njëkohësisht amerikanët dhe jugosllavët do të ndërhynin ushtarakisht». Për akuzën ai deklaroi: «Atë e mohoj në mënyrë kategorike, sepse është thjesht një fantazi». Më 9 maj 1979, gjykata e dënoi me vdekje (pushkatim) dhe heqjen e së drejtës së zgjedhjes për 5 vjet. U ekzekutua së bashku me Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon, të cilit u dënuan si krerët e një grupi tjetër të sajuar,
nga hetuesit, njëkohësisht me grupin e Nacionalistëve, i njohur si grupi i Revizionistëve. Prindërit e tij, Sami Koprëncka dhe Nerfuze Koprëncka, vuajtën gjithashtu burg për motive politike.

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist V (Tiranë: ISKK, 2016), 113
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.